Figura të njohura shqiptare që u shuan në vitin 2025
Viti 2025 u përjetua në Shqipëri si një periudhë e vështirë, e shënuar nga ndarja nga jeta e shumë personaliteteve të rëndësishme të politikës, artit, kulturës, medias dhe fesë.
Figura që për vite me radhë ndikuan në formimin e opinionit publik dhe trashëgiminë kulturore të vendit, lanë pas një mungesë të ndjeshme në jetën shoqërore, shkruan euronewsalbania
Viti nisi me humbjen e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta më 25 janar, në moshën 95-vjeçare. Si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ai ishte një figurë me ndikim të gjerë jo vetëm në jetën fetare, por edhe në debatet publike.
Në muajin mars, politika shqiptare humbi Andis Harasanin. Ish-deputeti dhe ish-kreu i KESH-it ndërroi jetë më 9 mars, në moshën 53 vjeç, në New York, pas një sëmundjeje të rëndë.
Pranvera solli goditje të forta për botën e artit. Më 3 prill u nda nga jeta Margarita Xhepa, një nga figurat më emblematike të teatrit dhe filmit shqiptar, në moshën 93-vjeçare. Trashëgimia e saj artistike përfshin më shumë se tetë dekada. Në maj, u shuan edhe publicisti dhe historiani Artan Lame, si pasojë e problemeve kardiake, si dhe regjisori Piro Milkani, një nga emrat themelorë të kinemasë shqiptare.
Në qershor, u nda nga jeta Leka Bungo, regjisor, aktor dhe skenarist i njohur. Ndërsa në korrik, arti skenik humbi aktoren Violeta Sekuj, e cila ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare.
Gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës, humbjet vijuan. Në fund të gushtit u nda nga jeta Naun Shundi, aktor, regjisor dhe dramaturg. Po atë muaj, media shqiptare u trondit nga humbja e gazetarit dhe analistit Artur Zheji. Në shtator, u shua kineasti Dhimitër Anagnosti, një nga regjisorët më të rëndësishëm të filmit shqiptar, ndërsa më pas u ndanë nga jeta aktori Enver Petrovci dhe sopranoja Luiza Çako.
Muaji tetor u shënua nga dy ngjarje të rënda: më 30 tetor u nda nga jeta Dorian Kongoli, djali i shkrimtarit Fatos Kongoli, dhe një ditë më pas Shqipëria humbi ish-kryeministrin Fatos Nano. Për figurën e tij, u shpall edhe ditë zie kombëtare.
Humbja e fundit e madhe e vitit ndodhi në fund të nëntorit, kur më 26 nëntor 2025 u nda nga jeta këngëtari Shpat Kasapi, në moshën 40-vjeçare.
Kështu, viti 2025 mbyllet si një nga vitet më të dhimbshme për Shqipërinë, duke lënë pas kujtimin e personaliteteve që kontribuuan ndjeshëm në historinë, kulturën dhe jetën publike të vendit./Periskopi



