Akademia e Shkencave reagon për vdekjen e Dacit
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e ish-kryekuvendarit dhe akademikut, Nexhat Daci.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.
ASHAK-u tutje ka shkruar për jetën dhe veprën e Dacit, ndërkaq ka njoftuar se për detajet rreth organizimit të ceremonisë mortore, do të dalin me njoftim.
“Akademik Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të komunës së Bujanocit, ku mbaroi edhe shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Leskoc. Studimet un universitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1962-1966), ku u diplomua në degën e kimisë në qershor të vitit 1966. Më pas, po në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit mbaroi studimet pasuniversitare (1966-1968), teksa dy vjet më vonë (1970) ndoqi studime pasuniversitare edhe në Ljèges të Belgjikës. Më 1973 në Universitetin e Zagrebit mbrojti tezën e disertacionit të doktoratës “Kontribut për përcaktimin e strukturës kimike të substancës organike të thëngjillit të Kosovës”. Studimet pasdoktorale i vazhdoi në vitin 1974 në Universitetin e Bradfordit të Britanisë së Madhe. Pas përfundimit të studimeve të rregullta dhe të magjistraturës, në vitin 1968 u zgjodh asistent në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Karrierën universitare e vazhdoi duke u zgjedhur ligjërues më 1971, profesor inordinar më 1974 dhe profesor ordinar më 1984, tituj që i mori në Universitetin e Prishtinës, teksa bëri udhëtime studimi në Çeki (Bërno), Shqipëri dhe Britani (Bradford, Oksford, Londër dhe Aberdin). Përveç në tubime shkencore vendore, ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, si në SHBA, Britani, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë. Më 1985 u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve, ndërsa më 1987 anëtar i Akademisë Europiane për Mjedisin me seli në Tybingen të Gjermanisë. Në vitin 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt i saj. Ishte anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të arteve që nga viti 2014. Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001-2011, si dhe ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhat 2000-2004 dhe 2004-2006. Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte në dy mandate: 1999-2004 dhe 2018-2019”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut./Periskopi/



