Aktakuza ndaj 15 personave në MAShT, ja për çka dyshohen zyrtarët

Aktakuza ndaj 15 personave në MAShT, ja për çka dyshohen zyrtarët

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, prej tyre 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë, për keqpërdorime në procedurat e tenderimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke shkaktuar, sipas Prokurorisë, dëm mbi 1.8 milion euro buxhetit të shtetit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të pandehurit dyshohen se gjatë viteve 2019–2021 kanë kontraktuar produkte në kuadër të projektit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” me çmime deri në 1557 për qind më të larta se çmimet reale të tregut. Prokuroria pretendon se zyrtarë të MASHTI-t kanë vepruar kundërligjshëm duke favorizuar kompani të caktuara përmes specifikimeve të paqarta teknike dhe kritereve selektive të përzgjedhjes.

Të akuzuarit përfshijnë pronarë dhe përfaqësues të kompanive “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K. dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit. Prokuroria, nën udhëheqjen e prokurorit special Dren Paca, i ngarkon të pandehurit me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa për disa prej tyre edhe me falsifikim dokumentesh dhe mashtrim të autoritetit kontraktues. Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme penale në projekte të ndryshme prokurimi.

Shpërndaje në: