Zelensky paralajmëron: Tërheqja nga Donbasi do të ishte fundi i gjithçkaje

Zelensky paralajmëron: Tërheqja nga Donbasi do të ishte fundi i gjithçkaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar kombit dhe trupave ushtarake në fjalimin e Vitit të Ri, duke shprehur besimin për fitore ndaj Rusisë dhe duke paralajmëruar për pasojat nëse Donbasi humbet.

Në fjalimin e tij rreth 20-minutësh, Zelensky deklaroi se një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë është “90 për qind gati”, ndërsa 10 për qindëshi i mbetur, sipas tij, do të “përcaktojë fatin e paqes, fatin e Ukrainës dhe të Evropës”.

Ai theksoi se Ukraina nuk kërkon paqe “me çdo kusht”, duke shtuar se “ne duam fundin e luftës, jo fundin e Ukrainës”.

Zelensky paralajmëroi se çdo tërheqje nga rajoni lindor i Donbasit do të nënkuptonte se “gjithçka do të kishte mbaruar”, duke iu referuar kërkesës së Rusisë për të pasur kontroll të plotë mbi këtë zonë industriale në kuadër të një marrëveshjeje paqeje, shkruan Euronews.al.

Aktualisht, Moska kontrollon rreth 75 për qind të rajonit të Donetskut dhe rreth 99 për qind të Luhanskut fqinj. Të dy këto rajone njihen së bashku si Donbas dhe fati i tyre ka qenë një nga pikat më të vështira në negociata, me Rusinë që, sipas Kievit, nuk ka treguar gatishmëri për kompromis.

Në fund të fjalimit, Zelensky falënderoi udhëheqësit dhe shtetet që kanë mbështetur Ukrainën, duke theksuar se “qëllimet duhet të shndërrohen në garanci sigurie dhe për këtë arsye të ratifikohen”.

Shpërndaje në: