Gjashtë pacientë po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike si pasojë e lëndimeve me mjete piroteknike
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) njofton se gjashtë pacientë po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike si pasojë e lëndimeve me mjete piroteknike.
Në njoftim thuhet se në këtë Klinikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë festave të fundvitit, është trajtuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.
Sipas ShSKUK-së, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijët dhe se rastet më të shpeshta të trajtuara kanë qenë lëndime të duarve, e disa kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota.
“Pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Rastet e trajtuara në këtë klinikë kanë qenë kryesisht lëndime të duarve, veçanërisht të gishtërinjve, të cilat në disa raste kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz (tendinave te gjishtrinjëve të duarve). Po ashtu, janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata” thuhet në njoftim.
Gjashtë pacientët që po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, thuhet se kanë lëndime të rënda të duarve.
“Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të mëtejmë dhe trajtim të specializuar. Këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë. Klinika e Kirurgjisë Plastike u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët”, thuhet në njoftim.



