Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të vijnë në Kosovë më 2027

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të vijnë në Kosovë më 2027

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, thotë se në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez.

Ai për KosovaPress njofton se ka filluar trajnimi i grupit të parë të stafit me rregulla të sistemit të burgjeve në Danimarkë.

Dibrani tha se nuk kanë interes për marrëveshje me shtete të tjera për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Ai gjithashtu flet për rastet e parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve, por edhe përfshirjen e zyrtarëve korrektues në këto raste.

Dibrani gjithashtu njoftoi se drejtor i burgut në Gjilan do të jetë Rasim Selmani, po ashtu njofton se është zgjedhur edhe guvernatori nga shteti danez.

“Është vjeshta e vitit 2027 kur do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez. Kështu që atje janë duke bashkëpunuar ngushtë grupet teknike të dy shteteve, sepse janë të themeluara dy komitete drejtuese nga shteti i Kosovës dhe shteti i Danimarkës, të cilët janë duke hartuar planet se si do të funksionojë ky burg. Ka filluar trajnimi i stafit, sepse ju e dini që atje do të respektohet rendi shtëpiak danez, ka filluar trajnimi i grupit të parë… Shumica e stafit që do të punojnë në këtë burg do të trajnohet në Danimarkë sipas rregullave dhe sistemit danez të burgjeve. Përveç aspektit të përfitimit të praktikave më të mira të sistemit danez, ne do të kemi mundësi që këto praktika t’i implementojmë edhe në burgje të tjera, ato praktika që janë edhe në përputhje me legjislacionin tonë”, deklaron ai.

Dibrani thotë se në këtë burg nuk do të vendosen të burgosur me rrezikshmëri shumë të lartë, persona të dënuar për terrorizëm apo të burgosur me probleme të rënda të shëndetit mendor.

Buxheti i vitit të ardhshëm parasheh rreth tetë milionë euro për investime kapitale për Shërbim Korrektues të Kosovës./KP/

Shpërndaje në: