E uli LDK’në në 13%, Abdixhiku nuk përmend dorëheqjen: Për këtë vendos Kuvendi
Pas përfundimit të numërimit të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar me një postim në Facebook, shkruan Periskopi.
Ai ka pranuar se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritej.
“Ju faleminderit nga zemra të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vështirë. Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja nuk i shmanget përgjegjësisë dhe reflektimit.
“LDK dhe asnjë individ nuk i shmangen përgjegjësisë dhe reflektimit; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin”, ka shkruar ai tutje.
Sipas tij, vendimet për të ardhmen e partisë do të merren në organet legjitime të saj.
“LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale dhe as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj do të organizohet edhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendos anëtarësia”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka pasur edhe një mesazh për ata që, sipas tij, e godasin LDK-në nga jashtë.
“LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë”, ka theksuar Abdixhiku.
Postimi i plotë:



