Cakolli: Kushtetuesja ligjet nuk i rrëzoi për përmbajtje, por për shkelje procedurale
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dy aktgjykime me të cilat ka rrëzuar pothuajse të gjitha ligjet e miratuara në seancën e 5 dhjetorit 2024. Në mesin e ligjeve të shpallura antikushtetuese është edhe Ligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se asnjë nga këto ligje nuk u rrëzua për shkak të përmbajtjes.
“Gjykata nuk u mor fare me substancën e tyre. Ato u rrëzuan për shkak të shkeljeve procedurale, sepse mënyra e miratimit kishte cenuar vetë thelbin e funksionimit parlamentar”, tha Cakolli përmes një postimi në Facebook.
Për disa prej vendimeve, ai tha se komisionet parlamentare ishin obliguar të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda 5 deri në 20 minutash. Për disa të tjera, sipas tij, materialet për shqyrtim u ishin shpërndarë deputetëve pas kohës kur seanca ishte paraparë të fillonte.
Konkretisht, në rastin e Ligjit për Byronë, Cakolli tha se dokumentet u dërguan rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës.
“Normalisht, me këso afate, shqyrtimi real parlamentar është i pamundur. Deputetët nuk kanë kohë reale për lexim, debat apo vlerësim dhe roli i tyre reduktohet në votim formal. Në këtë kontekst, një vit me përqindje rekord ligjesh të miratuara nuk është tregues suksesi, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare”, u shpreh ai.
Sipas tij, rëndësia kryesore e këtyre aktgjykimeve qëndron në faktin se ato vendosin një standard të qartë se procedurat duhet të respektohen në plotni, përveç rasteve vërtet emergjente.
“Çdo përpjekje për ta përmbyllur një sesion apo një vit me dhjetëra ligje të miratuara brenda një seance të vetme cenon parlamentarizmin, cilësinë e ligjeve dhe mandatin e deputetëve. Pra, deputetët janë ligjvënës, jo makineri votimi”, potencoi Eugen Cakolli nga KDI.



