Yamal e ndali shpejt “LIVE”-n pasi kuptoi çfarë po xhironte nga dhomat e zhveshjes
Barcelona e ka festuar fitimin e Superkupës së Spanjës pas triumfit dramatik 3:2 ndaj Real Madridit, por festa në dhomat e zhveshjes solli edhe një moment që u bë shpejt viral në rrjetet sociale.
Talenti i ri i katalanasve, Lamine Yamal, po transmetonte drejtpërdrejt festën në Instagram, duke e treguar atmosferën mes bashkëlojtarëve pas ndeshjes.
Megjithatë, gjatë transmetimit, ai pa dashje e filmoi portierin Wojciech Szczęsny duke pirë cigare në dhomat e zhveshjes, shkruan “Gazeta Express”, transmeton Periskopi.
Sapo e kuptoi se çfarë ishte shfaqur në ekran, Yamal reagoi menjëherë duke e larguar kamerën dhe duke thënë se kjo nuk duhej filmuar, përpara se ta ndërpriste transmetimin.
Pavarësisht reagimit të shpejtë, pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u komentuan gjerësisht nga tifozët.
Portieri polak Szczęsny, i cili i ka mbushur 35 vjet, është i njohur prej vitesh për këtë zakon dhe më herët ka deklaruar publikisht se është i vetëdijshëm që pirja e duhanit nuk është shembull i mirë, sidomos për futbollistët e rinj.
Ngjarja u trajtua më shumë si një moment spontan dhe i pafajshëm nga festa, por gjithsesi ngjalli interes të madh mediatik për shkak të moshës së Yamalit dhe ambientit profesional të klubit katalanas.



