Anëtari i LDK-së në diasporë: I vetmi mercenar në LDK je ti, Lumir – jep dorëheqje menjëherë

Anëtari i LDK-së në diasporë: I vetmi mercenar në LDK je ti, Lumir – jep dorëheqje menjëherë

Aktivisti i njohur i LDK-së në diasporë, Qefser Hoxha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si “mercenar” dhe përgjegjës për rënien drastike të partisë.

Në reagimin e tij, Hoxha rendit atë që ai i quan “rekorde” që meritojnë librin Guinness, duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit:

LDK ka shënuar 45,255 vota më pak në dhjetor 2025 krahasuar me shkurtin e po të njëjtit vit, duke rënë nga 18.27% në 13.26%.

Sipas tij, 30% e votuesve të LDK-së nuk e kanë votuar Abdixhikun si kandidat për kryeministër.

Në 8 komuna, Abdixhiku renditet i dyti për nga votat brenda listës së vetë LDK-së, një situatë që Hoxha e quan “precedent të papranueshëm”, shkruan Insajderi, transmeton Periskopi.

“Në 8 komuna të Kosovës, renditet i dyti për nga votat brenda vetë LDK-së, një precedent i papranueshëm: asnjëherë më parë një kandidat për kryeministër nuk ka dështuar të votohet nga partia e tij. Sigurisht kjo do të jetë rekord i ri botëror”.

Hoxha nuk është kursyer në cilësime personale, duke e quajtur Abdixhikun “peng politik” dhe “mercenar” që nga ardhja e tij në parti në vitin 2017.

“I vetmi mercenar në LDK je ti Lumir. Si mercenar erdhe dhe si mercenar po largohesh, pa as minimumin e dinjitetit për të dhënë dorëheqje. Mercenari nuk largohet pa miratimin e atyre që ia blenë votat e delegatëve në vitin 2021,” shkruan ai në letrën e tij.

Sipas aktivistit, Abdixhikun nuk e intereson e ardhmja e partisë së Ibrahim Rugovës, por vetëm kontrolli mbi të, qoftë edhe nëse partia bie në kuotën e 5%.

Përmes kësaj letre, Qefser Hoxha u bën thirrje anëtarëve të Kuvendit të LDK-Së që të kërkojnë zyrtarisht: Dorëheqjen e menjëhershme të Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet e partisë për të nisur një proces ristrukturimi dhe ringritjeje.

Shpërndaje në: