Kryeministri i Grenlandës: Zgjedhim Danimarkën para SHBA-së
Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, ka deklaruar se populli i territorit gjysmë-autonom danez do të zgjidhte Danimarkën në vend të Shteteve të Bashkuara, nëse do t’i kërkohej të bënte një zgjedhje të tillë “këtu dhe tani”.
Komentet u bënë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kopenhagë me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, dhe përbëjnë deklaratën më të fortë deri më tani nga një përfaqësues i lartë grenlandez, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur idenë e aneksimit të ishullit.
“Nëse duhet të zgjedhim midis Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës këtu dhe tani, ne zgjedhim Danimarkën,” tha Frederik Nielsen.
Ai theksoi se qëndrimi i Grenlandës është i qartë dhe i prerë.
“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Grenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga Shtetet e Bashkuara. Grenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara,” u shpreh ai.
Presidenti amerikan Donald Trump ka argumentuar se SHBA-ja duhet të “zotërojë” Grenlandën për arsye sigurie, duke përmendur kërcënimet nga Rusia dhe Kina. Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar më herët blerjen e ishullit dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta aneksuar atë.
Danimarka, e cila është anëtare e NATO-s, ka reaguar ashpër ndaj këtyre deklaratave. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se çdo përdorim i forcës ushtarake kundër Grenlandës do të shënonte fundin e aleancës mbrojtëse transatlantike.
Ndërkohë, kryeministri i Grenlandës pranoi se territori po përballet me sfida serioze ndërkombëtare.
“Ne po përballemi me një krizë gjeopolitike, por qëndrimi ynë është i qartë,” tha ai.
Konferenca për shtyp në Kopenhagë u mbajt një ditë para vizitës së ministrit të Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, dhe homologes së tij nga Grenlanda, Vivian Motzfeldt, në Shtetet e Bashkuara. Ata pritet të takohen me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.



