Andi Lila zbulon se ku do të transferohet

Andi Lila zbulon se ku do të transferohet

Andi Lila në të ardhmen do të luajë në Azerbajxhan. Emri i klubit ende nuk bëhet publik, por vetë lojtari konfirmon se në përfundim të sezonit do të largohet nga Pas Janina, për të firmosur kontratën e fundit të rëndësishme në karrierë.

“Duke parë që jam në fund të kontratës në Janinë pas 5 vitesh e gjysmë atje, kam menduar që të lëviz në një kampionat tjetër. Shpresoj që diçka të bëhet në ditët në vazhdim. Pretendoj për një kontratë 3 vjeçare duke parë edhe moshën time”, ka thënë Lila.

Largimi nga Greqia nuk lidhet me videon që shkaktoi polemika. Përkundrazi, mbrojtësi kuqezi tregon se pas ndjesës ka marrë mbështetjen e të gjithëve.

“Arsyeja e largimit tim nuk është video. Unë kërkova një falje të sinqertë, sepse nuk flija i qetë, duke ndjerë një keqardhje, si të them një turp. Kryeprifti Maksimus tha që shumë njerëz mund të bëjnë batuta të tilla me fetë, por nuk vijnë kurrë të pendohen. Andi u pendua tha ai, dhe shyqyr që e kemi mes nesh. Opinioni u kthye për mirë, por edhe presidenti, trajneri dhe shokët e skuadrës ishin në krahun tim, pasi mund t’i ndodhë gjithsecilit, deklaroi ai për Super Sport.

Lila i ka të qarta idetë për të ardhmen. Nga kontrata e re që pret të firmosë dhe deri te Tirana, skuadra me të cilën dëshiron të mbyllë karrierën.

“Një kontratë 3 vjeçare do të kishte qenë perfekt dhe një vit me Tiranën në Shqipëri. Do të kisha qenë shumë i lumtur. Pas shumë viteve e ndoqa Tiranën në stadium përkrah presidentit Halili dhe kisha shumë emocione. Dolëm kampionë në 2009-ën, por ajo skuadër me këtë të sotmen ndryshojnë shumë. Lojtarët e tanishëm janë të rinj në moshë dhe pas 2-3 viteve do të bëjnë spektakël dhe do të fitojnë trofe”, u shpreh mbrojtësi i kombëtares.

Shpërndaje në: