Aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar për kultivim të drogës në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri N.Sh., nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc të komunës së Malishevës, “pa autorizim dhe në bashkëkryerje edhe me dy të pandehur tjerë, kultivojnë bimë të hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope”.
Kështu, sipas aktakuzës, “i pandehuri N.Sh., në bashkëpunim me të pandehurin O.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe një i dyshuar i tretë i pa identifikuar deri më tani, kanë mbjellë dhe kultivuar narkotikë të llojit Kanabis Sativa në tri parcela”.
“Në këto tri lokacione janë gjetur gjithsej 1592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa”, tha Prokuroria.
Në njoftim u bë e ditur po ashtu se parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri, ndërsa veprimet e të pandehurve, ku secili nga ta vërehet qartë duke i punuar këto bimë, shihen në foto dhe video të nxjerra nga masa e fshehtë e vëzhgimit.



