Të hënën sy e vesh nga LDK-ja – A do t’ia japë partia “zarfin e zi” Lumir Abdixhikut?

Të hënën sy e vesh nga LDK-ja – A do t’ia japë partia “zarfin e zi” Lumir Abdixhikut?

Rënia në 13.23% në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka sjellë përçarje brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas rezultatit zgjedhor, LDK-ja mblodhi Kryesinë, në të cilën u shprehën pakënaqësi nga “garda e vjetër”, duke kërkuar ndryshim të lidershipit të partisë, shkruan Periskopi.

Pas kësaj situate, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thirrur mbledhjen e dytë për këtë vit, e cila do të mbahet të hënën. Në këtë mbledhje pritet të diskutohet për “çështje me interes për partinë”, ku do të caktohet data për mbajtjen e Kuvendit të partisë, në të cilin Lumir Abdixhiku do ta paraqesë dorëheqjen.

Ndërkohë, situata brenda partisë ka marrë një epilog ndryshe. Lumir Abdixhiku po mjaftohet me një “ofrim të dorëheqjes”, por kjo nuk po pranohet nga një pjesë e Kryesisë, e cila po kërkon “dorëheqjen e parevokueshme” të Abdixhikut.

Kundërshtimi më i ashpër ka ardhur nga deputeti i zgjedhur, ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka vënë në dyshim legjitimitetin e një procesi të tillë, duke insistuar se standardi i vendosur në të kaluarën kërkon largim të menjëhershëm dhe pa kushte pas humbjeve të rënda elektorale. Sipas tij, çdo zvarritje e procesit vetëm sa e relativizon përgjegjësinë politike.

“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse. Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi”, tha ndër të tjera ai në reagimin e tij.

Hoti ka paralajmëruar se, në mungesë të reflektimit, do të largohet edhe vetë nga Kryesia.

Tensionet janë thelluar më tej pas dorëheqjes së parevokueshme të Hykmete Bajramit nga udhëheqja e partisë, një veprim që u interpretua si sinjal i humbjes së besimit ndaj lidershipit aktual.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, si në fitore ashtu edhe në humbje, ka ndërtuar dhe zbatuar standarde. Dje, në mbledhjen e LDK-së, kam kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme. Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, tha Bajrami ndër të tjera në reagimin e saj.

Ndërkohë, nëse Lumir Abdixhiku largohet nga pozita e kryetarit, kandidatë potencialë për kryetar të LDK-së janë: Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Lutfi Haziri. /Periskopi

Shpërndaje në: