Vjedhjet e votave e çojnë Kosovën në rinumërim të plotë- Periskopi sjell detaje

Vjedhjet e votave e çojnë Kosovën në rinumërim të plotë- Periskopi sjell detaje

Të gjitha komunat e Kosovës do të shkojnë në rinumërim të plotë të votave, raporton Periskopi.

Kështu ka marrë vesh Periskopi nga burime të sigurta.

“Ekziston dakordim mes anëtarëve në KQZ të gjitha partive politike për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve”, tha për Periskopin një nga anëtarët e KQZ-së në kushte anonimiteti.

Vendimi pritet të merret në mbledhjen e KQZ që do të mbahet në ora 13:30.

Rinumërimi në krejt vendin vjen si shkak i dyshimeve për vjedhje të votave, ku pas rinumërimit, ka dalur se shumë kandidatët kanë humbur mijëra vota, që do të thotë se mundësia për dallavere është e madhe.

Ka kandidatë sikur Fetah Paçarizi në PDK që ka humbur mbi 6 mijë vota, kurse të tjerët, gjithashtu me mijëra. Kryesisht, kandidatët nga rajoni i Prizrenit.

Si rezultat, edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me vetiniciative ka lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.

 

Shpërndaje në: