Ish-anëtari i KQZ pas vjedhjeve të votave: Të merret vendim për rinumërim të plotë
Ish-anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi ka komentuar situatën pas rinumërimit të votave në disa komuna, ku ka dalur se shumë kandidatë kanë humbur mijëra vota, shkruan Periskopi.
Në një prononcim për Periskopin, Dushi ka thënë, këto devijime lënë të kuptohet për manipulim të qëllimshëm të procesit të numërimit.
“Procesi i numërimit të votave duhet të jetë shembull i saktësisë, transparencës dhe besueshmërisë. Fatkeqësisht, nga të dhënat dhe ankesat e deritanishme, duket qartë se në disa komuna ka pasur mospërputhje serioze në përshkrimin e votave për disa kandidatë – mospërputhje që prekin kandidatë të partive të ndryshme politike. Në disa raste, këto devijime lënë të kuptohet për manipulim të qëllimshëm të procesit të numërimit, ndërsa në raste të tjera bëhet fjalë për gabime njerëzore apo procedurale. Megjithatë, pavarësisht shkaqeve, çdo pasaktësi në numërim cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në rezultat”, tha Dushi për Periskopin
Ish-anëtari i KQZ ka vlerësuar se pas krejt kësaj, Komisoni Qendror i Zgjedhjeve duhet të marrë vendim për rinumërim të plotë.
“Për këtë arsye, është e domosdoshme që e gjithë kjo situatë t’i nënshtrohet një vlerësimi profesional, të paanshëm dhe të plotë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vetëm pas një analize të tillë objektive, me ç’rast me lehtësi mund të saktësohet çfarë është manipulim e çfarë gabim njerëzor, duhet të merret vendimi për rinumërim të tërësishëm aty ku ka dyshime të bazuara, me qëllim të vetëm: korrektimin e rezultatit dhe garantimin e vullnetit real të votuesve”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Periskopi pak më herët raportoi se Kosova do të shkojë në rinumërim të plotë.
Kështu ka marrë vesh Periskopi nga burime të sigurta.
“Ekziston dakordim mes anëtarëve në KQZ të gjitha partive politike për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve”, tha për Periskopin një nga anëtarët e KQZ-së në kushte anonimiteti.
Vendimi pritet të merret në mbledhjen e KQZ që do të mbahet në ora 13:30.

Vjedhjet e votave e çojnë Kosovën në rinumërim të plotë- Periskopi sjell detaje



