Fillimi i hetimeve për mospërputhjen e votave – prokurorja Pula takohet me zv.drejtorin e Policisë
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka zhvilluar një takim pune me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, dhe nënkolonelin Arbnesh Ajvazi nga Departamenti i Rendit Publik. Në takim mori pjesë edhe menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi për nisjen e hetimeve paraprake pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare. Prokurorja Pula njoftoi se ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar rinumërimi, të fillohet grumbullimi i informatave dhe sigurimi i provave relevante që mund të dëshmojnë ndonjë vepër penale të lidhur me procesin zgjedhor.
Ajo theksoi se, pas vendimit të KQZ-së për rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të veprojë në nivel vendi për të mbledhur të gjitha provat e nevojshme.
Nga ana e tij, kolonel Fehmi Hoti u shpreh se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe është e gatshme të mbështesë të gjitha kërkesat e prokurorëve të shtetit brenda kompetencave ligjore.



