Koci reagon për kaosin me pensionistët: Trajtim pa dinjitet, Ministria të sqarojë urgjentisht konfuzionin
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar me tone të ashpra lidhur me situatën e krijuar para qendrës së verifikimit fizik të pensionistëve në Prishtinë. Përmes një postimi, Koci e ka cilësuar pamjen e të moshuarve duke pritur në radhë si një “trajtim pa dinjitet” dhe “turp për shoqërinë”.
Sipas Kocit, i cili ka vizituar vendngjarjen, aty vërehet tollovi e madhe, ku njerëz të moshuar dhe të sëmurë detyrohen të presin gjatë për të dëshmuar se janë gjallë dhe aktivë në skemën pensionale.
Avokati theksoi se shkaktar kryesor i këtyre radhëve të gjata është paqartësia e krijuar ditëve të fundit.
“Trajtim pa dinjitet.
Turp për shoqërinë.
Ky proces ka funksionuar qe sa kohë, por këto ditë u publikua në media se pensionistët më nuk duhet të paraqiten.
Pikërisht aty nisi konfuzioni.” – shkroi ai ndër të tjera.
Ai shtoi se pensionistët aktualisht nuk e kanë të qartë nëse duhet të paraqiten të gjithë apo vetëm kategori të caktuara, dhe as nëse ka ndonjë afat të caktuar. Kjo mungesë informacioni, sipas tij, i ka shtyrë të moshuarit në radhë të panevojshme.
Koci i ka bërë thirrje urgjente Ministrisë përkatëse që të reagojë menjëherë me një komunikatë të plotë dhe udhëzime të sakta për të zgjidhur situatën.
“Kështu nuk ka kuptim.
Prandaj, Ministria përkatëse duhet të reagojë menjëherë, me komunikatë të plotë dhe me udhëzime të sakta.
P.S. Ky reagim i takon politikanëve, jo mua.
Unë jam qytetar i lirë – nuk paguhem prej parasë publike dhe nuk kam kërku votë.
Por kur ata heshtin, dikush duhet me folë.” – shtoi avokati.



