Koci: Shtetësia jonë u cënua kur lejuam të varemi energjetikisht nga Serbia
Avokati Arianit Koci thotë se varësia energjetike, është varësi politike.
Ai shkruan se shtetësia dhe sovraniteti i vendit, janë cënuar kur ‘u lejuam të bëhemi të varur energjetikisht nga Serbia’.
Koci shkruan:
Shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës janë cenuar në momentin kur u lejua që vendi të bëhet i varur energjetikisht nga Serbia, përmes marrëveshjeve të ndërlikuara me palë të treta – që në fund dalin të lidhura me Serbinë, në një mënyrë a tjetrën.
Varësia energjetike është varësi politike. Një shtet që s’e kontrollon rrymën, nuk e kontrollon as sigurinë.
Këto ditë po i përgatis disa shkrime për energjinë elektrike: çka kemi në terren dhe çka duhet bërë për me dalë prej kësaj gjendjeje.
Përndryshe, sabotime shumëvjeçare, nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, duke përfshirë edhe naivitetin e disa politikanëve, na kanë sjellë në këtë situatë.
E kemi pasurinë strategjike – thëngjillin, dhe nuk e përdorim.
Me politika të mençura, një Kosovë e vogël në territor, por me sasi të mëdha të thëngjillit (jemi të dytit në Evropë, të pestit në botë) bëhet lidere ekonomike në rajon.



