GAP: Kryetarët e komunave dhanë më pak premtime se në zgjedhjet e 2021-s

GAP: Kryetarët e komunave dhanë më pak premtime se në zgjedhjet e 2021-s

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë dhënë më pak premtime zgjedhore në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2025, krahasuar me mandatin e kaluar.

Kështu u bë e ditur të enjten në një konferencë për media të Institutit GAP, ku përmes platformës elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” u shpalosën premtimet e kryetarëve të komunave. Sipas GAP-it, janë evidentuar gjithsej 1,683 premtime në 26 komuna, që paraqet 132 premtime më pak sesa në mandatin e kaluar.

Rritja më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në Lipjan, Deçan, Fushë-Kosovë, Drenas, Obiliq dhe Podujevë. Lipjani prin me rritjen më të theksuar, nga 61 premtime në mandatin 2021–2025 në 170 premtime në mandatin aktual. Pasojnë Deçani, me rritje nga 20 në 124 premtime, Fushë-Kosova nga 35 në 110, Drenasi nga 37 në 88, Obiliqi nga 69 në 104 dhe Podujeva nga 61 në 88 premtime.

Rënia më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në Prishtinë, nga 206 në 115 premtime, e ndjekur nga Kaçaniku, Suhareka, Shtimja, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Hani i Elezit, Malisheva, Klina dhe Istogu.

Sa i përket fushave, infrastruktura kryeson me numrin më të madh të premtimeve, gjithsej 382, e pasuar nga arsimi me 322 premtime, shërbimet publike me 184 dhe shëndetësia me 146 premtime. Në ekonominë, bujqësinë, kulturën, sportin dhe çështjet sociale numri i premtimeve është i përafërt me mandatin e kaluar, rreth ose mbi 100 për secilën fushë. Më së paku premtime janë dhënë në urbanizëm, 51 sosh, dhe në administratë, 50 premtime.

Instituti GAP vlerëson se këto të dhëna tregojnë rikthimin e infrastrukturës si prioritet kryesor në mandatin e ri, duke zëvendësuar shërbimet publike që kishin dominuar në mandatin e kaluar.

“Në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë komunash kanë garuar 185 kandidatë, prej të cilëve 165 nga subjektet politike, ndërsa të tjerët nga iniciativa qytetare ose si kandidatë të pavarur. Vetëm 20 kandidatë kanë qenë gra dhe nga to, vetëm një është zgjedhur kryetare, nga gjithsej 38 kryetarë të zgjedhur”, thuhet në njoftim.

Sipas GAP-it, kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor. Nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, ndërsa nëntë të tjerë i kanë prezantuar premtimet përmes aktiviteteve zgjedhore ose paraqitjeve mediale.

Shpërndaje në: