Prokuroria jep detaje për aksionin ku u konfiskuan 90 kg marihuanë në Podujevë
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar për një operacion të zhvilluar pas hetimeve disa mujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, në kuadër të rastit të koduar “Bregdeti”, shkruan Periskopi.
Sipas njoftimit, më 21.01.2026 rreth orës 23:00, afër pikëkalimit kufitar në Merdare, është ndaluar i dyshuari H.S., i cili po drejtonte një kamion me targa vendore. Gjatë kontrollit të kamionit janë gjetur të fshehura 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Po ashtu, është realizuar kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me pesë fishekë, dy vetura, një kamion, një telefon celular dhe para të gatshme në vlerë prej 2,950 euro.
Sipas njoftimit të Prokurorisë me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa prokurori ka bërë të ditur se do të ndërmerren veprimet e mëtutjeshme hetimore.
“Në vazhdimësi të operacionit, me datën 22.01.2026, është realizuar bastisje edhe në dy lokacione, shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak – Podujevë dhe gjatë kontrollit të tyre janë gjetur. 4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë (katër kilogramë e 454 gramë) dhe 2 vetura.”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Podujevë: Arrestohen tre persona, konfiskohen 90 kg marihuanë



