KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

KQZ sqarohet pse është “ndalur” rinumërimi i vendvotimeve të Podujevës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se përse në komunën e Podujevës nuk është duke u zhvilluar rinumërimi?

Sipas të dhënave në platformën e KQZ-së për rezultate, nga kjo komunë janë rinumëruar 11 nga 110 vendvotime dhe kjo gjendje është që para datës 19 janar 2026.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për Express se përse që para kësaj date nuk ka ndryshuar numri i vendvotimeve të rinumëruara.

“Para datës 19 janar 2026 nga komuna e Podujevës janë rinumëruar rreth 10% e vendvotimeve, në përputhje me vendimin e parë të KQZ-së për rinumërim të pjesshëm. Pas marrjes së vendimit të dytë për rinumërim të plotë në të gjitha vendvotimet, procesi kishte kaluar komunën e Podujevës dhe po zhvillohej në komuna të tjera, sipas renditjes së paraparë”, shpjegoi Elezi.

Sipas Elezit, së shpejti vendvotimet nga kjo komunë do të përfshihen në procesin e rinumërimit.

“Ky proces po vazhdon me intensitet të plotë dhe deri më tani është zhvilluar sipas renditjes së komunave, por nga pasdita e së mërkurës, me qëllim të përshpejtimit të rinumërimit, është vendosur që të përfshihen vendvotimet e të gjitha komunave dhe jodomosdoshmërisht sipas renditjes. Pra, së shpejti edhe vendvotimet tjera nga kjo komunë dhe nga tjerat do të përfshihen në rinumërim”, tha Elezi.

Shpërndaje në: