Çka thuhet në Kartën e Bordit të Paqes?
Kosova përfshihet në mesin e 19 shteteve që e kanë nënshkruar të enjten pjesëmarrjen në Bordin e Paqes së iniciuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në një ceremoni në Davos të Zvicrës.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Por çka thuhet në këtë dokument të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani?
Në preambulë theksohet se dokumenti shërben si udhërrëfyes i orientuar drejt rezultateve për të siguruar paqen në vende ku prej kohësh ka rezultuar e paarritshme.
Dokumenti përmban 13 nene. Neni i parë flet për misionin, qëllimet dhe funksionet.
Në këtë nen theksohet se Bordi i Paqes është “organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme e të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
“Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe siç mund të miratohen në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira që mund të zbatohen nga të gjitha kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, thuhet në këtë nen.
Në kapitullin e dytë flitet për anëtarësinë. Aty theksohet se anëtarësimi është i kufizuar në shtetet që ftohen për pjesëmarrje nga kryetari dhe fillon me njoftimin se shteti ka pranuar të jetë i lidhur nga kjo kartë, në përputhje me kapitullin XI. Secili shtet duhet të përfaqësohet nga kryetari i shtetit apo kryeministri. Secili shtet anëtar duhet të mbështesë dhe të ndihmojë operacionet e Bordit të Paqes në përputhje me autoritetet e tyre përkatëse të brendshme. Asgjë në këtë Kartë nuk duhet interpretuar si diçka që i jep Bordit juridiksion brenda shteteve anëtare ose t’u kërkojë atyre të marrin pjesë në misione të caktuara të ndërtimit të paqes, pa pëlqimin e tyre.
Çdo shtet anëtar mund të shërbejë për mandat jo më të gjatë se tre vjet që nga hyrja në fuqi e kësaj Karte, me mundësi rinovimi nga kryetari. Mandati trevjeçar i anëtarësimit nuk do të zbatohet për shtetet anëtare që kontribuojnë më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë në fonde në para të gatshme për Bordin e Paqes brenda vitit të parë të hyrjes në fuqi.
Sa i përket përfundimit të anëtarësisë, aty theksohet se përfundon në rastin më të hershëm, qoftë nga skadimi i mandatit trevjeçar apo tërheqjen, që është vendim nga kryetari në varësi të vetos nga një shumicë prej dy të tretash të shteteve anëtare ose shpërbërjen e Bordit të Paqes. Atij që i përfundon mandati, pushon së qeni palë në Kartë, por një shtet i tillë mund të riftohet për të qenë sërish anëtar.
Çdo shtet theksohet se mund të tërhiqet me vendim të menjëhershëm, duke ofruar njoftim me shkrim te kryetari.
Kapitulli i tretë flet për qeverisjen. Aty theksohet se Bordi përbëhet nga shtetet anëtare dhe se ky bord voton mbi propozimet në agjendë përfshirë ato për çështjet e buxhetit të përvitshëm, themelimin e subjekteve ndihmëse, emërimin e zyrtarëve të lartë dhe përcaktimet kryesore të politikave, qoftë ato për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ndjekjen e nismave të reja për ndërtim të paqes.
Bordi i Paqes do të thërrasë mbledhje votimi të paktën një herë në vit dhe në kohë apo vende shtesë kur kryetari i konsideron të përshtatshme. Rendi i ditës përcaktohet nga bordi ekzekutiv, në varësi të njoftimit dhe komenteve prej shteteve anëtare e miratimit nga kryetari. Çdo shtet anëtar ka të drejtën e një vote. Vendimet merren me shumicën e votave të shteteve të pranishme dhe që votojnë, në varësi të miratimit nga kryetari, i cili gjithashtu mund të hedhë votë në cilësinë e tij si kryetar, kur ka raste të votave të barabarta.
Bordi i Paqes do të mbajë takime të rregullta pa të drejtë vote në Bordin Ekzekutiv. Në këto takime shtetet anëtare mund të paraqesin rekomandime e udhëzime për aktivitetet dhe Bordi Ekzekutiv do t’i raportojë Bordit të Paqes mbi operacionet dhe vendimet e Bordit Ekzekutiv. Takime të tilla thirren të paktën një herë në tremujor me kohën dhe vendin që përcaktohen nga drejtori ekzekutiv i Bordit Ekzekutiv. Shtetet anëtare mund të zgjedhin të përfaqësohen nga një zyrtar alternativ i rangut të lartë në të gjitha takimet, varësisht nga miratimi i kryetarit. Kryetari mund të lëshojë ftesa për organizatat përkatëse rajonale të integrimit ekonomik për të marrë pjesë në punimet e Bordit të Paqes, sipas kushteve dhe afateve që ai i konsideron të përshtatshme.
Te pika për kryetarin theksohet qartë se Donald J. Trump do të shërbejë si kryetar inaugurues i Bordit të Paqes dhe do të shërbejë veçmas si përfaqësues inaugurues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty theksohet se ai ka të drejtën ekskluzive për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse sipas nevojës dhe përshtatjes për ta përmbushur misionin e Bordit të Paqes.
Kryetari duhet të caktojë në çdo kohë një pasues për rolin e kryetarit. Zëvendësimi mund të ndodhë vetëm pas dorëheqjes vullnetare ose si rezultat i paaftësisë, siç përcaktohet me votë unanime nga Bordi Ekzekutiv, kohë në të cilën zëvendësi duhet të marrë menjëherë pozicionin e kryetarit dhe të gjitha detyrat dhe autoritetet përkatëse të kryetarit.
Kryetari ka të drejtë të themelojë nënkomitete e t’ua caktojë mandatin, strukturën dhe rregullat qeverisëse secilës.
Bordi Ekzekutiv do të përbëhet nga kryetari dhe përmban liderë botërorë. Anëtarët e Bordit Ekzekutiv kanë mandat dyvjeçar, me mundësi shkarkimi nga kryetari dhe mandat të rinovueshëm, në diskrecion të tij. Bordi Ekzekutiv duhet të ketë një Drejtor Ekzekutiv, i emëruar nga kryetari dhe i konfirmuar me shumicë votash nga Bordi Ekzekutiv. Ky drejtor mban mbledhje të Bordit Ekzekutiv çdo dy javë për tre muajt e parë pas themelimit dhe më pas çdo muaj. Po që se ka nevojë thërret mbledhje më shpesh. Vendimet aty merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë, përfshirë drejtorin ekzekutiv. Vendimet hyjnë menjëherë në fuqi, përpos kur përdoret vetoja nga kryetari në çfarëdo kohe. Ky Bord Ekzekutiv i përcakton rregullat e veta të procedurës.
Bordi Ekzekutiv i raporton Bordit të Paqes mbi aktivitetet e vendimet e tij çdo tremujor. Ai ka për detyrë t’i ushtrojë kompetencat për ta zbatuar misionin e Bordit të Paqes.



