Organizata që e organizoi ligjëratën rreth Speciales thotë se mori lejen e shkollës

Organizata që e organizoi ligjëratën rreth Speciales thotë se mori lejen e shkollës

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila ka organizuar ligjëratën mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ka thënë se aktiviteti është realizuar me lejen e institucionit arsimor.

Përmes një reagimi, YIHR ka deklaruar se gjatë ligjëratës është prezantuar informacion bazik dhe publik mbi Dhomat e Specializuara.

“YIHR KS sqaron se sesioni informues i mbajtur në shkollën “Xhevdet Doda” është realizuar me lejen e institucionit arsimor. Sesione të tilla mbahen që nga viti 2018, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës, në bashkëpunim me përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto sesione janë pjesë e programit tonë për drejtësi tranzicionale dhe ballafaqim me të kaluarën”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, kjo nismë ka shtuar sesione të tilla informuese janë pjesë e misionit afatgjatë të saj “për të kontribuar në promovimin e drejtësisë tranzicionale dhe ne do të vazhdojmë me punën dhe aktivizmin tonë në këtë fushë”.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar masa pas ligjërates së mbajtur mbi Gjykatën Speciale në ambientet e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

“Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”. Transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore”, është thënë nga Drejtoria e Arsimit nëpërmjet një postimi në Facebook.

Shpërndaje në: