Arbeloa i tregon derën Trent Alexander-Arnoldit vetëm pas 7 muajsh te Real Madridi
Alvaro Arbeloa ka nisur epokën e tij te Real Madridi me vendime të forta. Sipas raportimeve nga Spanja, trajneri i ri i “Los Blancos” i ka komunikuar Trent Alexander-Arnoldit se duhet të largohet nga klubi në afatin e ardhshëm veror, vetëm shtatë muaj pas transferimit nga Liverpooli.
Mbrojtësi anglez, 27 vjeç, ka kaluar një sezon të vështirë në Madrid. Ai nuk ka arritur të sigurojë një vend të përhershëm në formacionin titullar dhe është përballur me disa probleme fizike, që kanë ndikuar ndjeshëm në vazhdimësinë e tij. Situata është komplikuar edhe më shumë nga problemet e brendshme në klub, të cilat përfunduan me shkarkimin e Xabi Alonsos.
Sipas El Nacional, Arbeloa ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me Alexander-Arnoldin, duke i bërë të qartë se nuk është pjesë e planeve afatgjata të Real Madridit. Vendimi, thuhet se është marrë thjesht për arsye sportive dhe jo personale.
Drejtuesit e klubit nuk kanë mbetur të kënaqur me paraqitjet e anglezit, duke përmendur dobësitë në aspektin defensiv dhe kontributin e kufizuar në fazën sulmuese. Për këtë arsye, ata janë të gatshëm ta lënë të largohet në verë.
Alexander-Arnold ka regjistruar vetëm 16 paraqitje me fanellën e Real Madridit, i cili pagoi rreth 10 milionë paund për ta pasur në dispozicion që në Kupën e Botës për Klube verën e kaluar. Ai pësoi një dëmtim në kofshë në shtator dhe u rikthye sërish në infermieri muajin e kaluar për shkak të një problemi muskulor.
Ndërkohë, rrethi i lojtarit ka nisur punën për të gjetur një destinacion të ri për verën, ndërsa aventura e Trent Alexander-Arnoldit në “Santiago Bernabéu” duket se po shkon drejt fundit shumë më shpejt nga sa pritej.



