Refuzohet kërkesa e Salih Zybës për përjashtimin e prokurorit në rastin e gazit lotjellës në Kuvend
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit Salih Zyba për përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi në gjykimin për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për refuzimin e përjashtimit të Prokurorit Valdrin Krasniqi për trajtimin e çështjes penale ndaj të akuzuarit Salih Zyba”- thuhet në përgjigjje.
Në këtë rast të akuzuar janë ministri në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ish-deputetja Drita Millakut, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës, më 21.03.2018.
Në seancën e datës 16.01.2026 i akuzuari Salih Zyba, në fjalën hyrëse kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi, duke thënë se i njejti është djali i sekretarit të atëhershëm i kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.
E si rrjedhojë e kësaj kërkese, seanca e datës 16.01.2026 ishte ndërprerë.
Në po këtë seancë i pranishëm nuk kishte qenë ministri në detyrë Xhelal Sveçla. Gjykata kishte marrë vendim që ndaj Xhelal Sveçlës të veçohet procedura.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departament Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës me gjyqtarin e vetëm gjykues Sabit Sadikaj.



