Shqiptari kapet në Itali me 30 kg kokainë në makinë, vlera miliona euro

Shqiptari kapet në Itali me 30 kg kokainë në makinë, vlera miliona euro

Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë, teksa po trafikonte një sasi prej 30 kilogramësh kokaine të pastër, me vlerë miliona euro në treg.

Autoritetet informuan se aksioni është kryer në rajonin e Milanos tre ditë më parë dhe prangosja u krye nga karabinierët e patrullës që pikasën lëvizjet e dyshimta.

“Një burrë 28-vjeçar shqiptar u arrestua nga karabinierët me akuzën e posedimit me qëllim shpërndarjen e narkotikëve. Incidenti ndodhi së fundmi në Cologno Monzese, (Monza) në periferitë lindore të Milanos, jo shumë larg unazës Tangenziale Est”, informon media italiane.

Makina e 28-vjeçarit, e ndaluar në një zonë të izoluar pranë rrugës unazore, tërhoqi vëmendjen e karabinierëve të stacionit të Cologno Monzese. Oficerët më pas vendosën ta inspektonin dhe kontrollonin automjetin.

Në bagazh u gjetën njëzet e gjashtë pako që përmbanin një total prej afërsisht 30 kilogramësh kokainë. Shqiptari u arrestua dhe me urdhër të Prokurorisë së Monzës, u dërgua në burg, në pritje të hetimit dhe gjykimit, raportojnë mediat italiane.

Ngarkesa ishte e konsiderueshme, ndaj po thellohen hetimet për një rrjet të organizuar narkotrafiku në zonë, pasi fitimet llogariten miliona euro.

Shpërndaje në: