Bllokimi i rrugës nga MMPHI, Komuna e Ferizajt pezullon përkohësisht transportin publik urban
Komuna e Ferizajt ka njoftuar se nga data 27 janar 2026 (e martë) do të pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve. Sipas njoftimit, pezullimi përfshin linjat urbane A, A1, B dhe C, dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar.
Sipas njoftimit, pezullimi i transportit publik urban është bërë pasi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bllokuar segmentit e rrugës Prishtinë–Ferizaj–Shkup.
Postimi i plotë:
Bazuar në Vendimin nr. 01/18-26 të Kabinetit të Kryetarit, të datës 22.01.2026, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë njofton qytetarët e Komunës së Ferizajt se, duke filluar nga data 27.01.2026 (e martë), pezullohet përkohësisht transporti publik urban i udhëtarëve në linjat A, A1, B dhe C, për një periudhë të pacaktuar.
Pezullimi i transportit publik urban të udhëtarëve është bërë për shkak se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar bllokimin e segmentit të rrugës nacionale (N2) Prishtinë–Ferizaj–Shkup, brenda kufijve administrativë të Komunës së Ferizajt, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit “Zgjerimi i rrugës nacionale në hyrje të Ferizajt”. Kjo situatë pamundëson funksionimin e transportit urban, urban-periferik dhe ndërurban.
Apelojmë te qytetarët që, për lëvizje brenda zonës urbane me autobusë, të shfrytëzojnë transportin urban-periferik dhe ndërurban.
Ju falënderojmë paraprakisht për mirëkuptimin tuaj.



