Harry Kane pranë rinovimit me Bayern Mynih
Sulmuesi britanik Harry Kane pritet të zgjasë qëndrimin e tij te Bayern Mynih, me klubin që ka përgatitur kontratën e re.
Më parë 32-vjeçari u përfol se mund të kthehej në Angli, por duket se është bindur nga drejtuesit bavarezë për të vijuar me rekordmenët e Gjermanisë.
Kontrata aktuale e Kane skadon në vitin 2027, ndërsa rinovimi pritet ta zgjatë qëndrimin e tij për një deri në dy vite shtesë. Bisedimet mes sulmuesit dhe klubit kanë nisur dhe po zhvillohen në rrugën e duhur.
Kane u transferua te Bayern në vitin 2023 nga Tottenham për 100 milionë euro dhe deri tani ka pasur një aventurë të suksesshme: 130 ndeshje, 119 gola dhe 30 asiste. Ky sezon po ashtu po e gjen në formë të shkëlqyer, si në Bundesliga ashtu edhe në Champions League.
Bayern udhëheq renditjen në Gjermani dhe ndodhet në vendin e dytë në grup në Ligën e Kampionëve me 18 pikë, ndërsa Kane ka deklaruar më parë se ndihet mirë te klubi dhe po mendon të vazhdojë aventurën e tij bavareze.



