Ky është inspektori që dyshohet se u kap në flagrancë duke pranuar ryshfet
Një aksion i suksesshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka përfunduar sot me prangosjen e një zyrtari të Inspektoratit të Punës.
Burimet e Gazetës Insajderi bënë të ditur se inspektori u kap në flagrancë duke pranuar ryshfet gjatë një operacioni të udhëhequr nga Departamenti i Krimeve të Rënda.
Ai dyshohet se ka kërkuar dhe ka marrë një shumë prej mbi 1,000 eurosh si ryshfet për të manipuluar apo favorizuar procese brenda fushëveprimit të tij si inspektor.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se inspektori i arrestuar është Gazmend Berisha. Inspektori në fjalë më herët ka qenë i angazhuar edhe si zyrtar i logjistikës në Policinë e Kosovës.
Siç bëjnë të ditur burimet, i dyshuari erdhi me konkurs të brendshëm si inspektor i punës para, siç u shprehën ata, “dy-tri vitesh”.



