Paraburgosen edhe disa të dyshuar për manipulim me vota në Prizren-Prokuroria jep detaje
Prokuroria e Prizrenit dhe Policia e Kosovës kanë zgjeruar hetimet në rastin e manipulimit të rezultateve për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sot janë intervistuar 28 të dyshuar dhe 6 dëshmitarë.
Prokuroria njofton se pesë prej tyre janë ndaluar për 48 orë. Katër prej tyre janë kryesues të komisioneve ndërsa një Koordinator i KKZ’së për Prizren.
“Pesë (5) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër (4) prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.”
“Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë. Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.”



