Trumpi: Putini është pajtuar për armëpushim të pjesshëm me Ukrainën
Rusia është pajtuar për armëpushim të pjesshëm gjatë të cilit do të ndalojë sulmet ndaj qyteteve ukrainase për një javë, ka njoftuar presidenti amerikan Donald Trump.
Në një takim me kabinetin e tij, Trumpi u ka treguar se i ka kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin që të mos sulmonte Kievin dhe qytete të ndryshme për një javë dhe se ai është pajtuar me këtë.
Nën bombardimet e vazhdueshme gjatë javëve të fundit ka kolapsuar sistemi energjetik i Ukrainës dhe miliona njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në periudhën kur temperaturat janë nën zero.
“Ata nuk e kanë përjetuar kurrë këtë ftohtë”, tha Trumpi duke shtuar se “ishte fort mirë” për Putinin që ndali sulmet.
Lajmin e Trumpit ende nuk e ka konfirmuar Rusia që ka vazhduar sulmet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të mërkurën se Moska është duke planifikuar një tjetër seri të bombardimeve përkundër planeve për bisedime me SHBA-në.
Putini më parë ka bërë marrëveshje me Trumpin privatisht, por më vonë ka ndërruar rrugë duke shkelur krejt marrëveshjet.



