U intervistua nga Prokuroria Speciale, Peci thotë se janë akuza të pabaza
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar pas intervistës së tij të zhvilluar sot me Prokurorinë Speciale lidhur me dyshimet për keqpërdorime në dhënien e granteve.
Në një postim në Facebook, Peci ka sqaruar se ka dhënë përgjigje të plota dhe ka qenë transparent gjatë intervistës.
“Permes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja, përmes ish-deputetit të saj Paris Guri”, ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se ka qenë i qartë lidhur me rolin e tij si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Peci gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të ngrejë kallëzim penal kundër Paris Guri për kallëzim të rrejshëm penal, duke shtuar se Guri ka orkestruar një fushatë shpifjesh për të sulmuar dhe diskredituar emrin e tij.
“Sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat dhe shpifjet nuk do të më ndalin nga punët e mira për Kosovën”, ka përfunduar Peci në postimin e tij.



