“Të luftohet krimi e korrupsioni”-Prokuroria Speciale përcakton prioritetet për vitin 2026
Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i parë i Kolegjiumit të Prokurorëve Special për vitin 2026, në të cilin u bë vlerësimi i punës dhe rezultateve të arritura gjatë vitit 2025, si dhe u përcaktuan prioritetet strategjike për vitin në vijim.
Gjatë këtij takimi, u theksua se fokusi kryesor i Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2026 do të jetë rritja e efikasitetit dhe cilësisë së hetimeve, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat vazhdojnë të mbeten sfida serioze për sundimin e ligjit në vend.
Kryeprokurori Isufaj vlerësoi angazhimin dhe punën e prokurorëve specialë gjatë vitit të kaluar, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përkushtimit profesional dhe institucional në përmbushjen e obligimeve ligjore. Ai kërkoi intensifikim të përpjekjeve në ndjekjen penale të rasteve me interes të lartë publik, forcim të performancës së prokurorëve dhe rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas tij, realizimi i këtyre prioriteteve është thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, duke garantuar trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë para ligjit.



