Ky qytet i vogël australian është në shitje, por vendasit nuk duan të largohen

Ky qytet i vogël australian është në shitje, por vendasit nuk duan të largohen

E fshehur në mes të pyjeve të egra të Viktorisë gjendet fshati i vogël i Licolës, me popullsi vetëm pesë banorë.

Fshati përbëhet nga disa ndërtesa prej druri, një dyqan i përgjithshëm, një kamping për karvane dhe një stacion karburanti të grumbulluara rreth rrugës kryesore modest, duke e bërë Licolën një nga qytetet më të vogla në Australi.

Dhe nëse keni disa milionë dollarë të lirë, mund ta blini të gjithë. I gjithë fshati – tre orë me makinë nga Melbourne – tani është në shitje, gjë që ka tronditur dhe zemëruar banorët lokalë të lidhur ngushtë me komunitetin.

Licola, e cila është në pronësi private të një klubi komunitar, ka qenë prej kohësh një pikë e garantuar për karburant, ushqim dhe pushim për udhëtarët që shkojnë në Parkun Kombëtar Alpine. Fshati gjithashtu ka një histori 50-vjeçare të organizimit të programeve për të rinjtë, raporton BBC, transmeton Periskopi.

Por dega lokale e Lions Club thotë se nuk ka më mundësi ta menaxhojë fshatin dhe, në fund të vitit të kaluar, e ka listuar në heshtje për shitje online.

Shitja ka shkaktuar alarm mes pak banorëve të Licolës, komuniteteve përreth dhe anëtarëve të tjerë të Lions Club në shtet, të cilët thonë se nuk janë konsultuar në mënyrë të drejtë dhe tani kanë shqetësime serioze për të ardhmen e fshatit.

Që nga dita e parë, Leanne O’Donnell ka dashur që Licola të jetë “një shtëpi larg shtëpisë” për njerëzit. Afërsisht çdo person që viziton, punon ose kalon nga Licola ka numrin e saj – përfshirë shoferët e kamionëve dhe autoritetet e zjarrfikësve.

“Unë jam pika kryesore e kontaktit për ta, pa marrë parasysh nëse është tre pasdite apo dy të mëngjesit,” tha ajo.

O’Donnell është jashtëzakonisht e pasionuar për fshatin dhe shërbimin ndaj komunitetit përreth – por tani përballet me dëbim.

“Unë absolutisht e dua këtë fshat… nëse kalon tek një zhvillues dhe transformohet në diçka që nuk është, do të më thyente zemrën,” tha ajo.

O’Donnell ka mësuar për herë të parë për shitjen e Licolës në janar 2025, nga bordi i Lions Village Licola, i cili menaxhon fshatin në emër të organizatës bamirëse.

“Ata më thanë se biznesi i tyre kishte patur humbje për pesë ose gjashtë vitet e fundit dhe unë u pyeta, ‘si mund të ju ndihmoj?’”, tha O’Donnell.

“Ata kthyen përgjigjen: përveç nëse merrni disa milionë dollarë, nuk ka shumë çfarë të bëni.”

Por O’Donnell nuk u dorëzua, duke ofruar të organizojë aktivitete për mbledhjen e fondeve për fshatin dhe duke thënë se komuniteti më i gjerë do të donte të ndihmonte.

Bordi nuk pranoi, dhe ajo tha: “Pra, ju do të blini biznesin tim?”

“Dhe ata thanë, jo, ne thjesht do të marrim biznesin tuaj sepse ne zotërojmë tokën dhe ndërtesat. Ju vetëm duhet të paketoni dhe të largoheni. Nuk mund ta kuptoja dhe ta pranova atë në atë moment,” tha O’Donnell.

Pas këshillimit ligjor, ajo kuptoi shpejt se, duke qenë se ishte nën një kontratë qiraje, bordi mund të vepronte kështu.

“Në botën reale, unë mund të merrja biznesin tim dhe ta vendosja në një ndërtesë tjetër… kjo nuk është problem askund tjetër përveç Licolës.”

Këtu, nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkosh.

Në dhjetor, O’Donnell gjeti një listë të pasurive online për shitjen e fshatit, me një çmim të kërkuar midis 6 milionë dhe 10 milionë dollarë australianë.

Peticionet dhe reagimet

Shitja ka shkaktuar zemërim të madh online nga banorët e zonave përreth. Shumë janë të zemëruar për mënyrën se si u trajtua O’Donnell dhe shqetësohen se fshati i dashur mund të shkatërrohet ose të komercializohet.

Një koment në faqen zyrtare të Licola Caravan Park & General Store thotë: “Njerëzit varen nga dyqani në qytet, dhe ta mbyllësh në mes të sezonit është budallallëk në maksimum.”

Një tjetër koment thotë se shitja e fshatit “ndikon tek SHUMË viktorianë që vijnë në Licola dhe kampojnë atje prej vitesh”.

“Ka disa liderë të shkëlqyer të Lions dhe liderë të fshatit dhe kampit të Licolës që po kthehen në varre,” shkruhet në një koment tjetër.

Anëtarët e tjerë të Lions në Victoria kanë shkruar tek bordi, duke akuzuar se vepruan pa proces dhe konsultim të duhur me anëtarët më të gjerë që përfaqësojnë.

Një peticion online për të shpëtuar dyqanin, “rinovoni qiranë dhe lejoni Leanne të qëndrojë”, ka mbi 8,000 nënshkrime.

Me rritjen e zemërimit, bordi i Lions Village Licola tha se stafi i tij po merrte kërcënime dhe po konsideronte t’i tërhiqte nga fshati.

Arsyet e bordit

Në një deklaratë për BBC, një zëdhënës tha se shitja erdhi pas një shqyrtimi të operacioneve të fshatit, që iu dërgua të gjitha degëve të Lions në Victoria.

Pas shqyrtimit, bordi vendosi se nuk ishte më e qëndrueshme për Lions Club të zotëronte fshatin, duke përmendur rritjen e kostove dhe sigurimeve, ndërtesa të vjetruara dhe uljen e pjesëmarrjes në shkolla dhe kampet për fëmijë si arsyet kryesore.

“Vendimi për shitje nuk u mor lehtë,” tha deklarata.

Kryetari Denis Carruthers tha se bordi ka përgjegjësinë për të mbrojtur misionin e Lions Village – mbështetjen e të rinjve të pafavorshëm – jo vetëm hapësirën fizike.

Bordi gjithashtu tha se kontrata e O’Donnell nuk u rinovua “për të konsoliduar të ardhurat gjatë një periudhe stresi financiar”. Ajo është informuar se duhet të lirojë ambientet deri më 31 janar.

Të gjitha të ardhurat nga shitja e pronave të Licolës dhe fitimet e ardhshme të biznesit do të rikthehen në një fondacion të ri, i cili do të vazhdojë të paguajë për fëmijët që marrin pjesë në kampet e organizuara profesionalisht në mbarë Victorinë.

Nëse kampet do të vazhdojnë të zhvillohen në Licola mbetet e paqartë – një kamp i planifikuar për janar është anuluar për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve.

Nuk dihet se kush do të jenë pronarët e rinj – ose çfarë do të duan të bëjnë me fshatin. Por, Carruthers tha se ka “interes të konsiderueshëm për pronën”.

Shpërndaje në: