Kuvendi i LDK-së po i vazhdon punimet me dyer të mbyllur – Cili do të jetë fati i Abdixhikut?

Kuvendi i LDK-së po i vazhdon punimet me dyer të mbyllur – Cili do të jetë fati i Abdixhikut?

Aktualisht po mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK’së, derisa pritet që kryetari Lumir Abdixhiku të kërkojë votëbesimin e delegatëve, pas rezultatit zhgënjyes të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Periskopi.

Kuvendi para vetes kishte pesë pika për shqyrtim dhe fjalimin e Abdixhikut e pasoi hapja e debatit, e cila u mbyll për media.

Pas kësaj pike, në rend është shqyrtimi dhe votimi sipas nenit 27 pika 1 te Statutit te LIDK-së dhe përfundimi i punimeve të Kuvendit.

Gjatë fjalimit të tij gati njëorësh, Abdixhiku e ofroi dorëheqjen e tij për shqyrtim te delegatët e Kuvendit.

“Me përgjegjësi të plotë morale e politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për të shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur si detyrim moral. S’e bëj këtë për të krijuar krizë. Prandaj, ju pyes çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi, me dinjitet dhe me plot besim”, tha ai gjatë fjalës para Kuvendit.

Gjatë fjalimit, Abdixhiku pati kritika për “sulme” ndaj tij edhe brenda partisë, ndërsa tha se në “LDK-në demokratike”, kryetari është gjithmonë tabelë qitje meqë është “i ndryshueshëm”. Ai bëri thirrje që të ringritet LDK-ja me unitet dhe pa përçarje.

Në fund të fjalimit, për Abdixhikun pati duartrokitje nga bashkëpartiakët e tij, të cilët u ngritën edhe në këmbë, por jo të gjithë.

Të ulur në rreshtin e parë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti e Arben Gashi, nuk u ngritën fare për Abdixhikun. Të tre kanë qenë kritikë për të pas rezultatit të dobët që mori kjo parti më 28 dhjetor./Periskopi/

 

Shpërndaje në: