Vjedhja e votave, si u vendos rinumërimi nga KQZ, tregon Gashi i PDK-së

Vjedhja e votave, si u vendos rinumërimi nga KQZ, tregon Gashi i PDK-së

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka treguar se si kanë ardhur në përfundim se duhet të shkohet në rinumërim për shkak të dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve.

“KQZ i ka mekanizmat për verifikim dhe për ta testuar procesin. Ne kemi vërejtur disa anomali në disa komuna, jo vetëm në Prizren, dhe kemi ardhur në përfundim që të bëjmë një test mostër prej 2 për qind për secilën komunë. Kur janë hapur kutitë, kemi vërejtur se dyshimi ka qenë i bazuar. Në momentin kur kemi shkuar në 10 për qind, e kemi parë se kutitë nuk mund të mbyllen pa u rinumëruar të gjitha. Në disa komuna kemi shkuar në rinumërim 100 për qind, ndërsa në disa të tjera 10 për qind. Kemi parë se rinumërimi është i pashmangshëm dhe kjo ka ardhur nga vullneti i të gjithë anëtarëve të KQZ-së”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, përgjegjësia bie mbi personat që i kanë manipuluar votat dhe organet e drejtësisë duhet t’i ndjekin të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë. Por, për ta eliminuar këtë problem në të ardhmen, Gashi thotë se duhet të rishikohet edhe baza ligjore.

“Unë kam kërkuar në mbledhjen e fundit që të shkohet në rinumërim tërësor dhe t’i presim hetimet e organeve të drejtësisë dhe vendimet e gjyqësorit ndaj personave që kanë qenë të involvuar. Kam kërkuar që të shihet se cili mund të jetë zinxhiri i përgjegjësisë, por një gjë dihet: procesi i votimit ditën e diel bie në duart e subjekteve politike. Këshillat e vendvotimeve janë të subjekteve politike dhe mbikëqyrja po ashtu. Mendoj se duhet të trajtohet baza ligjore për të parë se si mund të bëhet ndryshe, në mënyrë që e ardhmja të na garantojë një proces më të mirë dhe më demokratik”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në: