Pjesëtarë të FSK-së padisin Ministrinë e Mbrojtjes për orët e papaguara të kujdestarisë
Një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë edhe zyrtarë me grada të larta ushtarake, kanë iniciuar padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, duke kërkuar kompensimin financiar për orët shtesë të kujdestarisë që, sipas tyre, nuk u janë paguar për muaj të tërë.
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se paditë lidhen me angazhimet jashtë orarit të rregullt të punës, përfshirë shërbimet e kujdestarisë, të cilat pretendohet se nuk janë trajtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore përkatëse.
Sipas të njëjtave burime, pavarësisht detyrimeve institucionale dhe strukturës hierarkike të FSK-së, e drejta për kompensim financiar për orët shtesë është e garantuar dhe duhet të zbatohet për të gjithë pjesëtarët.
Periskopi ka dërguar pyetje drejt Ministrisë së Mbrojtjes, por deri në publikim e këtij artikulli ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar publik lidhur me këto padi. /Periskopi/Enis Rrustemi/



