Kryeprokurori Isufaj në ShBA, paralajmërohen takime me zyrtarë të lartë amerikanë
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka nisur të hënën një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një njoftimi të Këshillit Prokurorial.
Isufaj ka udhëtuar në ShBA me ftesë të institucioneve amerikane, ka thënë Këshilli Prokurorial i Kosovës në njoftim.
Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara, Isufaj do të jetë i shoqëruar nga drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi dhe prokurori special Naim Abazi.
Në njoftimin e KPK-së thuhet se ata do të marrin pjesë në aktivitete zyrtare, përfshirë ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit.
“Gjatë qëndrimit të tyre në SHBA, do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara me rastin e Lutjeve të Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një ngjarje tradicionale me karakter institucional dhe ndërkombëtar, e cila mbledh përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore nga vende të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, përfaqësuesit e sistemit prokurorial do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë amerikanë.
“[…] ku pritet të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit profesional dhe krijimin e partneriteteve ndërshtetërore, në funksion të rritjes së efikasitetit në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave përkatëse, si dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Isufaj është aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale dhe i nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit, por emërimi i tij është mohuar nga presidentja Vjosa Osmani e cila tash e tri vjet refuzon të dekretojë propozimin.



