Artisti shqiptar Agron Hoti sjell një nga veprat më monumentale të artit bashkëkohor në botë, 10 kilometra art në shkretëtirën e Dubait

Artisti shqiptar Agron Hoti sjell një nga veprat më monumentale të artit bashkëkohor në botë, 10 kilometra art në shkretëtirën e Dubait

Në një epokë ku arti bashkëkohor po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt përvojave immersive dhe ndërhyrjeve në peizazhe ekstreme, Agron Hoti shënon një moment historik për skenën artistike ndërkombëtare.

Projekti i tij monumental CLIO, një instalacion arti 10 kilometra i gjatë, do të ngrihet në shkretëtirën Margham, pranë Dubait, duke u pozicionuar si një nga veprat më të mëdha të artit të ndërtuara ndonjëherë në natyrë.

CLIO nuk është thjesht një objekt për t’u parë nga larg, por një përvojë fizike, hapësinore dhe simbolike, e menduar për t’u përshkuar me këmbë, për t’u jetuar dhe për t’u interpretuar nga çdo vizitor. Instalacioni shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 1 milion metrash katrorë, duke krijuar një vijë të vazhdueshme që ndërthuret me relievin natyror të shkretëtirës, pa e dominuar atë, por duke dialoguar me të.

Struktura bazë e CLIO’s përbëhet nga rreth 25 000 module identike, secili me përmasa 2×2 metra, të vendosura në mënyrë ritmike përgjatë itinerarit 10 kilometërsh. Ky sistem modular krijon një gjuhë vizuale minimale, por shumë të fuqishme, ku përsëritja, boshllëku dhe drita natyrore e shkretëtirës bëhen pjesë integrale e veprës.

Sipas konceptit të artistit, ecja është elementi kyç i përjetimit: vizitori nuk është spektator pasiv, por pjesëmarrës aktiv, që e zbulon veprën hap pas hapi, nën ndryshimin e vazhdueshëm të dritës, temperaturës dhe perspektivës. CLIO është projektuar të funksionojë si ditën ashtu edhe natën, ku hijet, reflektimet dhe qielli i hapur i shkretëtirës i japin instalacionit dimensione të reja estetike.

Në qendër të këtij universi arti ndodhet Clio House, një strukturë rrethore ikonike, e konceptuar si një “anije kozmike” e ulur në rërë. Kjo ndërtesë shërben si pikë referimi arkitektonike dhe kulturore e projektit, duke përfshirë hapësira për ekspozita, ligjërata, performanca artistike dhe takime ndërkombëtare.

Clio House nuk është menduar si një muze tradicional, por si një platformë dialogu, ku arti, arkitektura, filozofia dhe debati kulturor ndërthuren. Projekti mbart një mesazh të fortë simbolik: bashkëjetesë, përfshirje dhe komunikim përtej kufijve kulturorë e politikë.

Mbështetja institucionale dhe financiare nga Shamal Holding e vendos projektin në një linjë me strategjinë e Dubait për t’u afirmuar si qendër globale e artit dhe kulturës bashkëkohore, përkrah arkitekturës ikonike dhe inovacionit urban.

Ndërtimi i CLIO’s pritet të nisë gjatë vitit 2026, ndërsa hapja e parë për publikun është planifikuar për 2027. Projekti do të zhvillohet në faza dhe parashikohet të përfundojë plotësisht rreth vitit 2033, duke u shndërruar gradualisht në një pikë referimi kulturore për dekada.

Agron Hoti është sot një nga zërat më autentikë dhe më të fuqishëm të artit bashkëkohor europian. Artist viziv me origjinë nga Shqipëria, i lindur në vitin 1970 në Mamurras, i rritur nën regjimin komunist, talenti i tij artistik u shfaq herët.

Që në moshë të re ai u vlerësua me çmime kombëtare për skulpturë dhe pikturë, por refuzimi politik për t’u pranuar në Akademinë e Arteve në Tiranë u shndërrua në pikën e nisjes së një shprehjeje të lirë dhe të pakompromis. Pas rënies së regjimit, Hoti u zhvendos në Greqi, ku për një dekadë iu përkushtua restaurimit të ikonave dhe skulpturave bizantine – një periudhë që i dha veprës së tij një dimension të thellë shpirtëror dhe teknik.

Në vitin 2001 ai mbërriti në Itali, duke u vendosur në Verona, ku themeloi Galeria Hoti. Hoti punon në formate gjigante, shpesh mbi dysheme, duke përdorur trupin si instrument dhe materiale industriale, pigmente natyrore, smalte, sprej dhe mjete të improvizuara.

Vepra e tij është e lidhur ngushtë me performancën dhe përmasën monumentale. Në vitin 2019 realizoi një performancë piktorike prej 800 m² në Real Foro Italico në Romë; në vitin 2020 krijoi “Ulisse”, një vepër 400 m² live në Arenën e Veronës; ndërsa në vitin 2023 arriti kulmin me “Everflow”, një vepër kolosale prej 7.600 m², e krijuar në 100 ditë në Stadiumin Kombëtar të Tiranës,  piktura më e madhe në botë e realizuar nga një artist i vetëm.

Veprat e Agron Hotit janë pjesë e koleksioneve publike dhe private në Itali, Francë, Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka ekspozuar në ngjarje prestigjioze si Bienalja e Venecias, Art Paris, Art New York dhe Parlamenti gjerman.

 

Shpërndaje në: