PZAP refuzon ankesën e Bekim Haxhiut
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Bekim Haxhiut, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), lidhur me ndarjen e mandateve për deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Haxhiu kishte kërkuar anulimin e vendimit të KQZ-së në pjesën e ndarjes së mandateve në bazë të kuotës gjinore, duke pretenduar se zbatimi i saj ishte bërë në mënyrë të gabuar dhe kishte cenuar renditjen reale të kandidatëve sipas votave. Ai kishte theksuar se, ndonëse ishte renditur i 20-ti në listën e PDK-së me 21.520 vota dhe subjekti kishte fituar 22 mandate, nuk ishte përfshirë në listën përfundimtare të deputetëve.
Sipas vendimit të PZAP-it, ankesa është vlerësuar e pabazuar dhe vendimi i KQZ-së për ndarjen e mandateve mbetet në fuqi./Periskopi



