Punëtori humbi jetën pas kontaktit me gjeneratorin, ngritet aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë “Luani Transport”, Sh.K., si dhe ndaj vetë kompanisë për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në këtë kompani gjeti vdekjen një punëtor pas kontaktit me gjenerator.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K, me datë 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, Komuna-Pejë, si pronar i kompanisë në kuadër të obligimeve të tij ligjore “nuk ka ndërmarrë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë, ashtu që, nuk ka krijuar kushte të sigurisë në vendin e punës, nuk ka ofruar trajnimin për siguri në punë, nuk ka ofruar informacion për rreziqet në punë dhe përdorimin e duhur të makinerisë, ashtu që edhe përkundër faktit se tani i ndjeri, S.R në përgjegjësitë dhe detyrat e tij ishte vetëm pastrues, i njëjti kishte gjetur vdekjen në vendin e tij të punës, si pasojë e kontaktit me gjeneratorin”.
Po ashtu, prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, e cila nga pakujdesia si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe në kundërshtim me nenin 6 paragrafi 1 të këtij ligji, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës, me ç’rast ka kryer veprën penale të lartcekur, ku si pasojë e kësaj ka humbur jetën punëtori, tani i ndjeri S.R.
Prokurori i shtetit, në aktakuzën e ngritur i ka propozuar gjykatës që përveç dënimit për veprën penale të lartcekur, po ashtu të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, në këtë rast veprimtarisë së seperacionit, kjo për faktin se, në rastin konkret i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pas asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës.
Njoftimi i plotë:



