E njëjta kompani nga Ministria e Bujqësisë në Komunë: Peci nuk i ndryshon përfituesit – jep tender të negociuar për “kompaninë e vjetër”
Pa humbur kohë dhe pa asnjë shenjë ndërrimi të praktikave, Faton Peci e ka nisur mandatin e tij të ri duke dhënë një tender të negociuar, ku përfitues del e njëjta kompani që kishte marrë kontrata edhe më herët, në kohën kur ai ishte Ministër i Bujqësisë.
Enis Rrustemi, Periskopi
Bëhet fjalë për kompaninë “MBUROYA SH.P.K.”, e cila ka fituar kontratën për shërbime të mirëmbajtjes dhe pastrimit, me vlerë rreth 36 mijë euro, përmes procedurës së negociuar – pa konkurrencë dhe pa garë të hapur.
Tenderi i negociuar, që sipas Ligjit të Prokurimit Publik duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme, po shndërrohet në rregull, ndërsa arsyetimi përse është shmangur procedura e hapur mungon plotësisht. Nuk ka urgjencë të shpallur, nuk ka specifika teknike – por ka një emër që përsëritet.

Kjo kontratë publike ka kohëzgjatje prej 3 muajve.
“Kontrata e negociuar do të ndërpritet në rast se autoriteti kontraktues lidhë një kontratë të rregullt për realizimin e shërbimeve para përfundimit të periudhës 3 mujore“, thuhet në dosje.
Kjo vazhdimësi e dhënies së tenderëve për të njëjtën kompani -në poste të ndryshme pushteti – ngre dyshime serioze për favorizim, konflikt interesi dhe kapje të prokurimit publik.
Më poshtë gjeni kontratën e dhënë për këtë kompani nga Faton Peci sa ishte ministër i Bujqësisë, e kishte nënshkruar me 18.11.2025:


Në vend të transparencës së premtuar dhe “ndryshimit” të shumëpërfolur, qytetarëve po u shërbehet ‘receta e vjetër’ – tenderë të mbyllur e kompani të njëjta.
Kur tenderët fitohen nga operatorë të njëjtë, pyetja që duhet shtruar është – kush po përfiton dhe pse gjithmonë i njëjti?/ Periskopi/Enis Rrustemi/



