Liga Saudite reagon pas protestës së Cristiano Ronaldos: Asnjë individ nuk përcakton vendime të klubit

Liga Saudite reagon pas protestës së Cristiano Ronaldos: Asnjë individ nuk përcakton vendime të klubit

Liga Profesionale Saudite ka reaguar zyrtarisht pas protestës së Cristiano Ronaldos, duke theksuar se struktura e kampionatit bazohet në pavarësinë e plotë të klubeve.

Ronaldo ka refuzuar të luajë në ndeshjen e fundit ndaj Al Riyadh, si dhe ka vazhduar “protestën” pasi do të mungojë edhe në sfidën e radhës, pra të premten kundër Al Ittihad.

Liga Saudite për herë të parë ka reaguar zyrtarisht, duke ia bërë të qartë Ronaldos se vendimet e transferimeve i takojnë klubeve dhe jo individëve.

“Liga Profesionale Saudite është e ndërtuar mbi një parim të thjeshtë: çdo klub operon në mënyrë të pavarur sipas të njëjtave rregulla”.

“Klubet kanë bordet e tyre drejtuese, drejtuesit ekzekutivë dhe strukturën e tyre futbollistike. Vendimet për rekrutimin, shpenzimet dhe strategjinë i takojnë vetë klubeve, brenda një kuadri financiar të projektuar për të garantuar qëndrueshmëri dhe balancë konkurruese. Ky kuadër zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë kampionatin”.

“Cristiano ka qenë plotësisht i përfshirë me Al Nassr që nga ardhja e tij dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe ambiciet e klubit. Si çdo konkurrues elitar, ai dëshiron të fitojë. Por asnjë individ – sado i rëndësishëm të jetë – nuk përcakton vendime përtej klubit të tij”.

“Aktiviteti i fundit në merkato e dëshmon qartë këtë pavarësi. Një klub u përforcua në një mënyrë të caktuar. Një tjetër zgjodhi një qasje ndryshe. Këto ishin vendime të klubeve, të marra brenda parametrave financiarë të miratuar”.

“Konkurrenca e kampionatit flet vetë. Me vetëm pak pikë diferencë mes katër skuadrave të para, gara për titull mbetet plotësisht e hapur. Ky nivel ekuilibri pasqyron një sistem që po funksionon ashtu siç është menduar”.

“Fokusi mbetet te futbolli – në fushë, aty ku i takon – dhe te ruajtja e një gare të besueshme dhe konkurruese për lojtarët dhe tifozët”.

Mbetet të shihet nëse Ronaldo do të ndryshojë qasje dhe të fillojë sërish të luajë për Al Nassr./Telegrafi

Shpërndaje në: