Arrestohet shefja e kabinetit të kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj
Zhvillimet e fundit në Deçan kanë rikthyer në vëmendje procesin zgjedhor në këtë komunë, pas arrestimit të shefes së kabinetit të kryetarit Bashkim Ramosaj.
Sipas konfirmimit nga Prokuroria në Pejë, Manjolla Shala është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, në kuadër të hetimeve që lidhen me parregullsi në procesin e votimit në Deçan.
Brenda afatit ligjor, pritet të parashtrohet kërkesë për sigurimin e prezencës së saj në procedurë penale.
Në janar, nga rezultatet e publikuara pas rinumërimit, rezultoi se kandidati i AAK-së, Hamdi Komoni, ishte ai që kishte humbur më së shumti vota jo vetëm brenda partisë së tij, por edhe krahasuar me kandidatët e partive të tjera në Deçan.
Komonit iu hoqën 188 vota nga rezultati fillestar, duke e çuar totalin në 3,336 vota pas reflektimit në sistemin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Të dy rastet burojnë nga i njëjti proces zgjedhor në Deçan dhe lidhen me të njëjtin subjekt politik, AAK-në, e cila mban edhe pushtetin lokal në këtë komunë.
Hetimet e nisura pas evidentimit të parregullsive gjatë rinumërimit pritet të sqarojnë nëse devijimet në vota kanë qenë rezultat i gabimeve teknike apo nëse bëhet fjalë për elemente të veprave penale.



