Prokuroria në Ferizaj fillon hetimet për manipulim të votave
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit për zgjedhjet parlamentare, në komunat që janë nën kompetencën territoriale të kësaj prokurorie.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 janar 2026 Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sigurimit të provave relevante dhe identifikimit të personave përgjegjës për manipulime të mundshme të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe pas pranimit të raporteve fillestare, Prokuroria ka bërë të ditur se në komunën e Ferizajt, nga 153 vendvotime të përfshira në raport, keqpërdorimet kanë qenë në përqindje të ulët. Konkretisht, vetëm një kandidat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë janë evidentuar shtesa prej një deri në tre vota.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve të konstatuara është e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, me një përqindje më të lartë të shtimit të votave. Sipas raportit, për tre kandidatë janë regjistruar shtesa që variojnë nga dhjetë deri në 45 vota.
Në lidhje me këto raste, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve në komunën e Shtimes.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria ka bërë të ditur se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të reja që kërkojnë veprime shtesë hetimore.
Në fund, Prokuroria ka ritheksuar angazhimin e saj për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo rast i dyshuar do të trajtohet në përputhje me ligjin.



