Abdixhiku i reagon Isa Mustafës: Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas votëbesimit të tij në Kuvendin e partisë, duke theksuar se ky vendim është i rëndësishëm dhe i drejtë për LDK-në dhe për të ardhmen e saj.
Në një postim të fuqishëm, Abdixhiku ka shprehur shqetësimin e tij ndaj atyre që nuk pranojnë këtë vendim dhe që kërkojnë të krijojnë kriza brenda partisë.
Ai ka theksuar se pas Kuvendit të fundit, LDK ka kaluar në një fazë të re, një fazë që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi, duke u fokusuar te përparimi dhe bashkimi i partisë, pavarësisht kundërshtive.
Abdixhiku ka akuzuar disa individë për përpjekje për të minuar procesin e brendshëm të LDK-së dhe për të përdorur prapaskenat për të pasur ndikim në vendimet e partisë. Ai ka theksuar se vendimi i anëtarësisë për të mbështetur drejtimin aktual është një akt i rëndësishëm dhe i shenjës se LDK është e gatshme të ecë përpara me besimin e anëtarëve të saj dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë.
“Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë dhe mbysin atë. Ata që nuk pranojnë se çdo kohë ka një fund dhe që besojnë se mund të manipulojnë vullnetin e anëtarësisë janë ata që po kërkojnë të hapin kriza për çdo kusht,” shkruan Abdixhiku.
Postimi i tij i plotë:
Në vend të injorimit dhe reagimit.
Siç edhe e shihni, ka një mosdurim të thellë ndaj vendimit të lirë të anëtarësisë. Një mllef dhe një zell për të më sulmuar mua, LDK-në, familjen Rugova, veprimtarët e shumicës, punën e profesionistëve, të rinjve e të vjetërve pa dallim; secilin! Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj.
Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin.
Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht. Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë.
Do ta kuptojmë një ditë, nëse veç se kemi kuptuar, se Kuvendi i ynë nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike. Ishte një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi. Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë – dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi.
Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara.
LDK-në do ta bashkojmë. Fort madje.
Por jo kështu. Jo me këtë logjikë. Jo me ata që nuk e pranojnë se çdo kohë ka një fund. Jo me ata që besojnë se vullneti i anëtarësisë mund të riformësohet e tjetërsohet në prapaskenat e darkave përplot intriga. E aq më pak me ata që kanë refuzuar, vazhdimisht, ta dëgjojnë këtë anëtarësi.
Kaq, për sot e përherë.
Kemi punë më të mençura.



