Tasholli: Protesta e 17 shkurtit synon përbashkimin përtej ndasive politike

Tasholli: Protesta e 17 shkurtit synon përbashkimin përtej ndasive politike

Ismail Tasholli, themelues dhe kryesues i “LIRIA KA EMËR”, në emisionin Reel Talk me Maxhunin, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka folur për protestën që do të mbahet më 17 shkurt, e cila synon përbashkimin e qytetarëve duke i lënë anash ndasitë politike.

Ai ka thënë se ideja fillestare e kësaj proteste është përbashkimi.

“Ideja fillestare ka qenë qepja e copëzave historike të rrugëtimit tonë. Nuk ka lidhje pse mendojmë ndryshe, nuk duhet ta prishim fotografinë totale. UÇK-ja është kulmi dhe secili e ka vendosur nga një tullë në rrugëtimin tonë për liri. Edhe gjeneratat e Luftës së Dytë Botërore, edhe Rugova, edhe të burgosurit politikë, edhe NATO-ja – të gjitha duhet t’i qepim bashkë për ta kuptuar totalin e fotografisë”, ka thënë Tasholli.

Ai ka theksuar se duhet të ketë një pajtim se secila gjeneratë e ka dhënë kontributin e saj deri te ajo që është arritur sot.

“Ne duhet të mësohemi se disa pika reference të përbashkëta na duhen”.

Sipas Tashollit, UÇK-ja është pika referente më e fortë që i përbashkon qytetarët.

“Unë nuk besoj që ka një shqiptar normal të cilit i pengon UÇK-ja”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: