Sindikatat e punëtorëve të të gjitha kategorive mbështesin marshin “Drejtësi, jo politikë”
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë zhvilluar sot një takim të përbashkët me përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve të KEK-ut, të arsimit, të shëndetësisë, të minatorëve dhe të administratës publike, të cilët njëzëri e shprehën mbështetjen e tyre për Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt, që do të mbahet në Prishtinë.
Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli i falënderuan sindikatat e punëtorëve për përkrahjen e ofruar, duke vlerësuar se angazhimi i tyre është dëshmi e fuqisë së bashkimit shoqëror për kauza të drejta.
Hoxha tha se kur punëtorët, pa dallim bashkohen me këtë kauzë, i japim më shumë jehonë kërkesës për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.
Ndërsa Tasholli tha se marshi i 17 shkurtit nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të parimeve themelore të drejtësisë.



