Haxhiu: Të kërkosh 180 vite burgim për drejtues të UÇK-së është tendecë për ta barazuar viktimën me xhelatin

Haxhiu: Të kërkosh 180 vite burgim për drejtues të UÇK-së është tendecë për ta barazuar viktimën me xhelatin

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Prokuroria e Hagës kërkojë dënimin me 45 vjet burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, vlerësoi se kjo kërkesë e Prokurorisë “është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës”.

“Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin”, shkroi Haxhiu mes tjerash.

 

Postimi i plotë:

Kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës. Kjo nuk ka të bëj me përpjekje për drejtësi. Kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.
Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan.
Në vend të gjykimit të agresorit, fatkeqësisht u votua një mekanizëm që sot mundohet të na e kriminalizojë rezistencën e popullit. UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigja ndaj terrorit shtetëror serb. Ky është shtrembërim i historisë. Të kërkosh aq vite burgim për drejtues e ushtarë të UÇK-së, është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe tendencë për ta barazuar viktimën me xhelatin.

Shpërndaje në: